Pse bën nani-nani ILD dhe KLP, për lirimin e Astrit Avdylit nga Shijaku?!

Advertisement

Në fund të muajit korrik 2021, pikërisht vetëm 3 ditë pasi sistemi i drejtësisë në vend, (gjykata-prokurori) të hynin zyrtarisht në pushimet e muajit gusht, raportohet për një lajm, si ai i lirimit nga burgu të Astrit Avdylit nga Shijaku.

Nga 2018 e deri më sot ç’nuk kemi dëgjuar në parlament dhe nëpër dosjen penale për këtë njeri, të lidhur me politikën e Durrësit, Shijakut dhe Tiranës. Por vetë Astrit Avdyli nuk ka pranuar kurrë akuzat e prokurorisë si i përfshirë në trafikun e heroinës së Hasit, të sjellë nga Turqia në Shqipëri.

Ky njeri së bashku me Jasin Kala dhe Fatos Llavdiu të akuzuar për trafik narkotikësh kryer në bashkëpunim në kuadër të organizatës kriminale, lanë qelitë e burgut Nr. 313, duke dalë në masën e “arrestit në shtëpi”.

Ai doli nga burgu dhe aty ku u dha lajmi aty dhe mbeti. Asnjë ditë më pas nuk u shkruajt asgjë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, si dy institucione kontrolluese të vendimarjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, iç asnjë gjë, asnjë deklaratë nuk dhanë në ato ditë por edhe tani.

A thua se nuk ka ndodhur asgjë në ditët e fundit të Gushtit. Apo a thua se: “…hë mo se kush u lirua, sikur kushedi çfarë është…”.

Shkak për lirimin e Astrit Avdylit dhe dy personave të tjerë, u bë përfundimi i afateve të paraburgimit dhe që padyshim solli këtë katrahurë të dosjes tashmë shumë të famshme dhe më të rëndësishme të SPAK, dosjes me Nr.339.

Disa vite më parë, kur Avdyli ndodhej në burg pasi vuante një dënim me 16 vite burgim të marë për vrasje, një ekspertim mjeko-ligjor, i kryer nga mjekët psikiatër Latif Fjolla dhe Shkëlqim Korbi, nxirte të dënuarin, Avdylin, se vuante nga një sëmundje “Depresion Endogjen me tentativa suicidale (Vetëvrasje)”.

Klinikisht sipas mjekëve, ky personazh paraqiste çrregullime në formën e deluvioneve, të cilat udhëheqin sjelljet vetëdëmtuese dhe suicidale.

Njeriu që sipas dy ekspertëve të mësipërm, gjatë qëndrimit në burg shfaqte shenja psikiatrike të kryerjes së vetëvrasjes apo dëmtimit të jetës së të dënuarve të tjerë, pas daljes nga burgu ku qëndronte si i dënuar për një vrasje të kryer në 1997 apo 1998, shumë shpejt do të rimerte kontrollin psiqik të vetes, duke arritur deri në atë shkallë sa të dyshohet se ka drejtuar dhe trafikun e heroinës nga Turqia në Itali.

Njëherësh gjatë kohës së qëndrimit në lirim, Astrit Avdyli, arriti të hynte brenda rradhëve të anëtarëve të Partisë Socialiste, duke u kthyer në një militant i flaktë dhe “ingranazh”, i fortë i sistemit për mbledhjen e votave të mavjosura, pranë shtabit elektoral të Vangjush Dakos, në qarkun e Durrësit.

Astrit Avdyli, një personazh që për të fituar lirinë nga burgu ju desh të bëhej si i çmenduar, duke arritur deri në atë pikë sa me dokumenta, edhe mund të vetëvritej.

Por shumë shpejt Avdyli u kthye në njeriun kryesor, që në zgjedhjet e 2017, vuri në rresht administratën shtetërore të Durrësit dhe një pjesë të mirë të militantëve të PD-së në këtë qark.

Ironia shkoi deri aty, sa një të sëmuri depresiv si Avdyli dhe një personi që kishte prirje të kryente vetëvrasje, i liheshin në dorë listat emërore të votuesve të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës. Pastaj rreshtoren e bënte vetë ai.

Mirëpo sot në këto ditë të nxehta Gushti, teksa unë shkruaj, Avdyli ndodhet në shtëpi, që me letra është në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Që nga periudha e themelit të SPAK-ut, Avdyli së bashku me Jasin Kala dhe Fatos Llavdiu, janë tre të paraburgosurit e parë që arritën të çajnë “darën e hekurt” të SPAK.

Advertisement

Pikërisht këta tre të pandehur për akuza të rënda, deri në këtë fazë thyenë mitin e deritanishëm të SPAK-ut, duke ia djegur letrat e dosjes penale në dorë. Ose prokuroria e bëri qëllimisht dhe luajti me afatet e paraburgimit ose gjykata mbeti në kolaps, për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe erdhi kjo situatë që erdhi.

Por tashmë çështja penale u kris. SPAK-u, heshti për lirimin e tyre dhe nuk denjoi të informojë qytetarët, që aq shumë i besojnë se çfarë ndodhi. Ku u çedua dhe a ka persona përgjegjës për këtë skandal. SPAK-u heshti se i ngeli dopio gjashta në duar dhe në këtë kohë nuk denjoi të bëjë asnjë njoftim, duke u marë me procedurën “shumë të koklavitur” të përzgjedhjes së një koordinatoreje mediatike, për të cilën u dha sihariqi me vrap, sapo u zgjodh.

Ndërsa e kundërta ndodhi për lirimin e Avdylit duke mos u thënë asnjë fjalë, asnjë s’qarim. E njëjta situatë dhe e njëjta sjelle dhe nga gjykata. Asnjë s’qarim se kush çedoi, prokuroria apo gjykata. Të gjithë bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë.

Por këta nga njëra anë duhet kuptuar se janë institucionet protagoniste të kësaj dosjeje dhe të këtij skandali që tashmë u kthye në çorbë të thartuar.

Por si është e mundur që për këtë çështje nuk kanë folur asnjë fjalë mor jahu, institucionet si Këshill i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Dy institucione kontrolluese të vendimarjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, iç asnjë gjë, asnjë deklaratë deri tani, se ç’do bëjnë.

Vijojnë nina-nina, në atë abitatin e tyre që e kanë mbushur me linja të ndryshme nepotizmi, dhe lesh as kurrfarë interesi për këtë çështje. Sikur është liruar nga burgu ndonjë për vjedhje skrapi apo për “Përndjekje”.

Pikën e interesit për të nisur një inspektim në gjykatë dhe në SPAK. Pikën e interesit për të informuar qytetarët por qoftë dhe median. Komplet menefrego, duke vijuar me nani-nanin e vetë, se kanë prioritete të tjera, se si duhet të bëhen gjyqtarë pas përfundimit të mandatit, e të punësojnë njerës, të afërm të nomenklaturës në pushtet.

Tipikë aparatçinj të thekur, që zenë karrigen me rrota dhe një zyrë, e fillojnë lëvizin vetëm kur i thonë. Lento lento, se mos i prishni imazhin SPAK-ut ose reformes, nëse nisni ndonjë inspektim, qoftë dhe kryesisht nga këto institucione. T’ju sjellim ndonjë jastëk?/Marrë nga Elton Qyno, Faktor.al

Advertisement
330
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com