MSH tregon pse nuk arriti t’i sigurojë vaksinat, pranon se s’ka marrëveshje me Pfizer

Advertisement

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, bërë publike disa informacione të cilat kanë të bëjnë lidhur me angazhimet për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. MSH-ja thotë se ka kryer të gjitha kriteret e kërkuara për sigurimin e vaksinave, dhe se janë duke pritur konfirmimin final nga COVAX për arritjen e dozave të para.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë gjithë kohës kanë thënë se vaksinat e para anti-COVID në Kosovë do të vijnë gjatë muajit shkurt.
Mirëpo, tashmë që muaji shkurt shkoi dhe vaksinat nuk janë, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa arsye sipas saj, për mossigurimin e vaksinave.
MSh-ja në njoftim ngul këmbë se janë bërë të gjitha përpjekjet për t’u siguruar vaksina, ndërkohë që pranon se me kompaninë Pfizer nuk ka firmosur kontratë, ndonëse më herët ishte thënë nga Hoti e Zemaj, se nga kjo kompani janë siguruar 500 mijë vaksina.
“Më 8 janar, MSh-së i është konfirmuar sërish se 500.000 vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën. Në takimin 8 janarit, palët janë dakorduar që brenda javës, MSh-së t’i dërgohet edhe marrëveshja finale për nënshkrim. Në çdo takim, pas 8 janarit, MSh ka kërkuar që palët ta kenë për nënshkrim marrëveshjen finale. Edhe pse MSh-së i është thënë nga përfaqësuesit e Pfizer se marrëveshja është e gatshme dhe do të dërgohet për nënshkrim, MSh se ka pranuar ende marrëveshjen në fjalë, dhe nuk është shpjeguar nga kompania në fjalë as pse ka vonesa në këtë drejti”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, MSH-ja ka thënë se që nga muaji korrik 2020, ka filluar aktivitetet për të siguruar qasje sa më të shpejtë në sigurimin e vaksinës, në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.
“Me të vendosur të kontakteve të para mekanizmin COVAX dhe caktimit të pikës fokale për kontaktet e Kosovës me këtë mekanizëm, Ministrisë së Shëndetësisë i është konfirmuar nga zyrtarët e këtij mekanizimi (ku marrin pjesë OBSh, UNICEF, Banka Botërore, fondacione të ndryshme bamirëse, agjenci teknike ndërkombëtare, prodhues të vaksinave, etj.) se Kosova është kualifikuar në mesin e 92 shteteve (me të ardhura të vogla dhe të mesme), të cilat përmes këtij mekanizimi do të marrin falas vaksinën kundër COVID-19 për 20% të popullatës apo në rastin e Kosovës, doza të mjaftueshme për 360.000 banorë”.
Më tej thuhet se është përgatitur e miratuar edhe plani shtetëror i vaksinimit kundër COVID-19, duke shtuar se janë siguruar edhe të gjitha procedurat e tjera që kanë të bëjnë me importin e vaksinave dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga Kosova për t’i marrë vaksinat nga ky mekanizëm.
“Zyrtarët e COVAX, i kanë konfirmuar MSh-së marrjen e këtij plani të cilin e kanë vlerësuar të pranuar/konfirmuar. Me datë 3 shkurt 2021, mekanizmi COVAX ka publikuar në ueb faqen e saj edhe itinerarin e shpërndarjes së vaksinave për vendet përfituese, ku Kosova, sipas njoftimit/ itinerarit fiton 100.800 doza të vaksinës Astra Zeneca, në fund të muajit shkurt (përkatësisht në kuartalin e parë Q1 të vitit 2021 (janar-mars 2021)”, thuhet tutje në njoftim.
Pas këtij njoftimi të COVAX, MSH-ja thotë se përmes kontakteve me pikën fokale që MSh ka në këtë mekanizëm, i është bërë edhe një rishikim Planit Shtetëror të Vaksinimit, duke synuar që në fazën e parë të vaksinohen grupet prioritare apo 3% e popullsisë, plan ky i detajuar që ka përmbajtur një planifikim të saktë edhe për dy fazat e tjera të vaksinimit, duke përfshirë vaksinimin më pas edhe të 17% të popullsisë dhe më vonë edhe të 50% të popullsisë, me qëllim që të arrihet mbulueshmëria me vaksinim prej 70% e popullsisë në Kosovë, duke shtuar se plani i rishikuar është pranuar nga COVAX.
“MSh bashkë me IKSHPK, Zyrën e OBSH-së dhe Zyrën e UNICEF-it, pas përmbushjes së të gjitha kushteve, po pret konfirmimin final për marrjen e dozave të para të vaksinave kundër COVID-19, përmes mekanizimit COVAX”, thuhet në njoftim.
Përtej negocimit me Pfizer, MSh ka arritur pajtimin edhe me shtetin e Austrisë për sigurimin përmes tyre të 600 000 vaksinave, të cilat do të mund të merren pasi shteti austriak t’i ketë bërë blerjet e vaksinave në sasitë e nevojshme edhe për vete.
“Angazhimet e BE-së ndërkaq për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dihen, dhe ato deri tash nuk kanë rezultuar me sigurimin konkret të dozave të para, përkundër ndarjes së një shume të konsideruar të mjeteve financiare për këtë qëllim, nga të cilat, 7.5 milionë do të përfitojë edhe Kosova”, thuhet tutje në njoftim..
Në anën tjetër, MSH-ja thotë se është e vetëdijshme për presionin që bëhet edhe nga vende të tjera lidhur me procesin e vaksinimit në Kosovë, në veçanti për ndërhyrjet që bën Serbia tek qytetarët (kryesisht të komunitetit serb), duke i ftuar ata që të vaksinohen në Serbi.
“Për më shumë, Serbia ka bërë shpërndarjen e një numri të vaksinave (kryesisht të vaksinës Sputnik të Rusisë dhe tjera) në Republikën Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, në Malin e Zi dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por qytetarët e Kosovës, janë informuar edhe më parë se përcaktimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë i qartë prej fillimit që qytetarët kosovarë duhet të vaksinohen me vaksina të cilat kanë marrë miratim nga FDA, EMA dhe OBSh dhe jo me vaksina nga Serbia e Rusia”, thotë MSH-ja.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se i ka plotësuara të gjitha kriteret e kërkuara nga partnerët dhe mekanizamt e ndryshëm për të siguruar vaksinën, dëshiron të ritheksojë edhe faktin se prioritet për këtë mekanizma kanë qenë shtetet me situatë më të rënduar epidemiologjike ndërsa prodhuesit prioritet u kanë dhënë shteteve që paraqesin treg më të madh se Kosova.
“Megjithatë, kjo nuk e ka dekurajuar asnjë zyrtar të Komisionit për negocim për vaksinën kundër COVID-19, Komitetin për përgatitjen e Planit Shtetëror për vaksinim kundër COVID dhe partnerët që të vazhdojnë angazhimin e përditshëm deri arritjen e dozave të para të vaksinave. MSh i siguron qytetarët se ky angazhim do të jetë maksimal, përtej çdo interesi, në përmbushje të obligimit për të siguruar shëndetin e qytetarëve, deri në pranimin e dozave të para që besojmë se do të ndodh së shpejti dhe në përmbylljen e programit të vaksinimit kundër COVID-19”. Fatos Shala/ monitor

Advertisement
Advertisement
168
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com