“Holanda, tre ndeshje larg lavdisë”, Van Dajk: Kemi një plan për ta ndalur Mesin

Advertisement

Virxhil van Dajk pranoi se Holanda do të ketë një plan specifik për të ndalur Lionel Mesin në çerekfinalen e nesërme të Kupës së Botës. Sulmuesi argjentinas ka shënuar 3 gola në Katar dhe po bën turneun më të mirë të karrierës së tij, për të cilin kapiteni i Holandës është i ndërgjegjshëm:“Gjëja e vështirë për të është se kur ne jemi duke sulmuar, ai do të jetë duke pushuar në ndonjë cep. Duhet të jesh shumë i saktë në organizimin në mbrojtje.

Ata do të tentojnë të gjejnë gjithnjë atë në kundërsulm. Është një nder të luash kundër tij.

Por nuk do të jetë duel mes tij dhe meje apo Holandës kundër tij, por luan Holanda kundër Argjentinës. Askush nuk mund t’ia dalë i vetëm, por ne duhet të kemi një plan të mirë për ta ndalur”, tha qendërmbrojtësi i Liverpulit në konferencën e djeshme për shtyp.

“Unë do të jem shumë i kujdesshëm. Argjentina është një skuadër shumë e rrezikshme, një ekip fantastik. Ne duhet të tregohemi shumë të zotë në të gjitha departamentet.

Duhet të jemi të përgatitur mirë dhe gati për këtë ndeshje”, shtoi 31-vjeçari. “Tulipanët” janë kombëtarja më e mirë që nuk ka fituar kurrë Kupën e Botës, ndërsa ka humbur në tri finalet që ka shkuar: në vitin 1974, 1978 dhe 2010.

Advertisement

Ata u eliminuan me penallti nga Argjentina në gjysmëfinalet e 2014-ës në Brazil. Por a mund të jetë ky viti i tyre? “Uria është aty. Kemi një ëndërr. Jemi vetëm tri ndeshje larg lavdisë.

Jemi në këtë pozicion tani. Duam të luajmë mirë, shpresojmë që të kemi sukses. Duam ta shijojmë këtë shans. Unë nuk shqetësohem për kërcënimet e sulmit argjentinas”, shtoi Van Dajk. Trajneri Van Gal ka menduar edhe për penalltitë nëse fati do ta dërgojë ndeshjen te ruleta e 11-metërshave.

“I kemi praktikuar. Por kjo nuk të garanton asgjë në një ndeshje me stadiumin plot me 80 mijë tifozë dhe presionin e një bilete në gjysmëfinale.

Shpresojmë që të mos shkojmë tek ato, por ta përcaktojmë ndeshjen përpara shtesës dhe penalltive. Por nëse do të shkojë tek ato atëherë ne duhet të jemi gati. I kemi praktikuar ato sa më shumë që ishte e mundur”.

Advertisement
162
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com