SPAK mbyll hetimet për Ardian Çapjan, cilat janë akuzat që rëndojnë ndaj tij

Advertisement
Akuzat që rëndojnë mbi Çapjan janë: Vrasje në rrethana cilësuese e 2 ose më shumë personave, grup i strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

E njëjta akuzë i është komunikuar dhe nipit të tij Florenc Çapja, i cili ndodhet në Dubai.

Anëtarët e fisit Çapja akuzohen për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, bab e bir, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2012, ndërsa ngjarja u hetua fillimisht nga prokuroria e Elbasanit.

Së bashku me ta të pandehur janë marrë Ervis Bardhi, Etien Cani, Olsi alias Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli, të cilëve iu është komunikuar po ashtu akuza nga SPAK.

Akuzat kundër tyre janë “Vrasje në rrethana cilësuese” kundër dy personave, “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit”, “Grup i strukturuar” kriminal dhe Kryerja e veprave penale në formën e “Grupit të Strukturuar kriminal”.

Momentalisht për këtë krim të dyfishtë të ndodhur në 15 gusht 2012 në Elbasan, vijon të jetë në kërkim vetëm Florenc Çapja, i cili ndodhet në Dubai, ndërsa personat e tjerë janë arrestuar.

Sa i takon Florenc Çapjas ai u tha se u ndalua rreth dy javë më parë në Dubai, por ekstradimi i tij mbetet peng i çështjeve proceduriale.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, thuhet se është krye nga Çapjat për hakmarje pasi Gentiani, ishte një nga tre autorët që ekzekutoi me automatik në dhjetor 2005, Sokol Çapjan, vëllain e Ardjan Çapjas.

Advertisement

Florenc Çapja dhe Ardjan Çapja, në vitin 2012 pretenduan se nuk kishin lidhje me krimin, pasi ditën e ngjarjes ndodheshin në Maqedoni dhe jo në Elbasan. Por 8 vite më vonë, njëri nga vrasësit me pagesë Ervis Bardhi, u zbulua nga një gjurmë gishti, që më pas solli pendimin e tij dhe bashkëpunimin me prokurorinë.

Bardhi tregoi se së bashku me Jorgo Lekun ishte paguar nga Ardjan e Florenc Çapja 50 mijë euro, në këmbim të vrasjes së Gentian Beqirit. Bardhi, ka rrëfyer se Gentianin e ka ekzekutuar me 4 plumba në kokë, ndërsa babain e tij, Nezir Beqirin, e mbyti me jastëk Olsi Leku.

Pas komunikimit të akuzave SPAK pritet të dërgojë çështjen në gjykatë, ku togat e zeza të GJKKO-së do vendosin nëse do e pranojnë kërkesën për ta kaluar këtë çështje në gjykim apo jo.

Advertisement
178