Gjyqtarja Adelajda Gjuzi del në vetting, kursimet e prindërve dhe burrit “i hapin punë”

Advertisement

Adelajda Gjuzi, gjyqtare e Gjykatës së Beratit u përball të enjten më 2 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shjegime për pasurinë. Gjuzi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u relatua se nuk ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Gjuzi po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Adelajda Gjuzi përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Gjatë periudhës 2014-2015, Gjuzi ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë dhe është kthyer më pas në Berat në funksionin e gjyqtares.

Komisioni i ka kaluar barrën e provës gjyqtares Gjuzi për disa gjetje lidhur me një apartament në Tiranë, të blerë prej saj dhe bashkëshortit në vitin 2014, si dhe për dy garazhe në përdorim të blera nga vjehrri.

Relatori Hamitaj shpjegoi se subjekti dhe bashkëshorti e kanë blerë apartamentin në vitin 2014 për çmimin 8.6 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se vlera 7 milionë lekë është likujduar në momentin e nënshkrimit të kontratës, ndërsa pjesa e mbetur 1.6 milion lekë është konsideruar si hua që do të shlyhej në momentin kur pasuria të pajisej me certifikatë pronësie.

Nga verifikimet e kryer prej Komisionit nuk është konstatuar konflikt interesi mes subjektit, shitësit të apartamentit dhe shoqërisë ndërtuese.

Si burime krijimi për vlerën 7 milionë lekë të paguar në vitin 2014 për apartamentin, subjekti ka deklaruar një dhuratë në favor të bashkëshortit nga prindërit e tij në shumë 3 milionë lekë dhe hua.

Hamitaj tha se nga hetimi paraprak ka rezultuar se prindërit e bashkëshortit të subjektit, edhe pse kanë pasur depozita bankare në vlera të konsiderueshme vite para dhurimit dhe para se Gjuzi të fillonte detyrën si gjyqtare, ata kanë rezultuar në pamundësi financiare në shumën 1.4 milionë që të jepnin huanë 3 milionë lekë me burime të ligjshme.

Gjyqtarja Gjuzi e vlerësoi hetimin administrativ të kryer nga Komisioni dhe u shpreh dakord me konkluzionet. Ajo sqaroi se gjatë periudhës së rivlerësimit kishte punuar rreth 1 vit e gjysmë si gjyqtare dhe se apartamentin e kishte blerë në kohën kur punonte si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë.

Ajo theksoi se kursimet e bashkëshortit dhe prindërve të tij kishin qenë të depozituara në bankë. Sipas Gjuzit, vjehrri dhe vjehrra zotëronin aktivitet tegtar në qytetin e Elbasani që prej vitit 2000 dhe se kishin paguar detyrimet si biznes i vogël sipas ligjit.

Gjuzi deklaroi se veç të ardhurave nga aktiviteti tregtar, vjehrrës i kishte dërguar shuma parash ndër vite vëllai i saj që jeton dhe punon në Kanada. Ajo sqaroi se kishte depozituar dokumentacion e prova për të vërtetuar këto dërgesa dhe vijoi se kishte povuar gjithashtu se kishte shteruar të gjitha mundësitë për të siguruar prova të tjera.

Ashtu si për apartamentin, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të bashkëshortit të subjektit edhe për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2008. Një pjesë e vlerës së çmimit të kësaj makine i është dhuruar bashkëshortit të subjektit nga prindërit e tij, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga vlera e shitjes së një makine tjetër. Hamitaj sqaroi se makina ishte blerë disa vite para se gjyqtarja Gjuzi të fillonte detyrën.

Advertisement

Subjekti deklaroi se bashkëshorti e kishte blerë automjetin tip Benz para se ajo të fillonte shkollën e Magjistraturës dhe sqaroi se bashkëshorti kishte shitur një mjet tjetër në vlerën 500 mijë lekë që kishte shërbyer si burim. Ajo këmbënguli se provoheshin edhe të ardhurat e prindërve të bashkëshortit që kishin shërbyer për dhurimin në shumën 600 mijë lekë.

Ndërkohë nuk janë gjetur probleme për disa llogari të tjera rrjedhëse në emër të subjektit dhe bashkëshortit të saj.

Nga analiza financiare paraprake Komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri fianciare për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve gjatë periudhës 2012-2016. Hamitaj sqaroi se një pjesë e pamjaftueshmërisë është konstatuar për shumat e dhuruara të përdorura në periudhën e rivlerësimit, por që janë krijuar para se gjyqtarja Gjuzi të fillonte detyrën.

Gjuzi evidentoi se balancat negative janë konstatuar duke përfshirë kursimet e prindërve të bashkëshortit dhe këtij të fundit para fillimit të detyrës si gjyqtare.

Advertisement
520