Edhe Gjermania “mbyll dyert” për Shqipërinë! Nga nesër, në listën e vendeve me rrezik të lartë, karantinë 10-ditore nëse…

Advertisement

Gjermania vendos rregulla të reja për udhëtarët nga Shqipëria.

Rritja e shifrave të infeksionit, shtrimeve në spital dhe fataliteteve në javët e fundit, i kanë hequr Shqipërisë statusin e një vendi të sigurt, duke na përfshirë në listën e shteteve me rrezik të lartë prej pandemisë.

Në këto kushte, edhe për të udhëtuar drejt Gjermanisë do të duhet të plotësohen disa kushte, përfshirë edhe karantinën 10-ditore.

“Nga dita e diel, 5 shtator 2021, Shqipëria konsiderohet sërish si një vend me rrezik të lartë nga Covid-19.

Për hyrjen në Gjermani: Ju duhet të regjistroheni në faqen e internetit www.einreiseanmeldung.de para se të udhëtoni për në Gjermani.

Gjatë regjistrimit ju duhet të ngarkoni një dëshmi shërimi nga një infeksion me Covid-19 ose që jeni plotësisht të vaksinuar.

Nëse nuk mund të paraqisni asnjërën nga këto dy dëshmi, do t’ju duhet një test i Covid-19 për të hyrë në Gjermani.

Megjithatë, pas mbërritjes do t’ju duhet të karantinoheni për dhjetë ditë. Pas pesë ditësh, ju mund të testoheni përsëri dhe, nëse rezultati i testit është negativ, mund t’i jepni fund karantinës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane në vendin tonë.

MASAT E REJA

Numrat në rritje të rasteve pozitive me COVID-19 kanë sjellë edhe miratimin e një pakete të re masash për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

Javën e kaluar Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi rregulla të reja për kalimet në pikat kufitare.

Vendimi i botuar një ditë më parë edhe në Fletoren Zyrtare përcakton që prej së hënës, pra prej datës 6 shtatorit, për të hyrë në vendin tonë do të duhet ose testi PCR, ose certifikata e vaksinimit kundër koronavirusit, ose një dëshmi apo provë që e keni kaluar sëmundjen në 6 muajt e fundit.

Advertisement

SITUATA

E premtja ka sjellë shtim të ndjeshëm të pacientëve të shtruar në spital, ndërsa janë raportuar edhe 3 humbje jete si pasojë e COVID-19.

“Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 114 pacientë, nga të cilët 19 janë në gjendje më të rënduar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID-19 tre qytetarë: një qytetar 65 vjeç nga Shkodra, një qytetar 68 vjeç nga Tirana dhe një qytetar 84 vjeç nga Durrësi”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Lidhur me rastet e reja, në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 895 persona të prekur, nga rreth 5900 testime të kryera.

“Janë kryer 5901 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 895 qytetarë, në këto bashki: 275 raste në Tiranë, 74 raste në Shkodër, 60 raste në Durrës, 37 raste në Kavajë, 35 raste në Lezhë, 34 raste në Fier, 29 raste Vaun e Dejës, Vlorë, 25 raste në Elbasan, 24 raste në Kukës, 22 raste në Korçë, 21 raste në Lushnjë, 18 raste në Kamzë, 17 raste në Malësi të Madhe, 16 raste në Krujë, 15 raste në Kurbin, Mat, 13 raste në Sarandë, 12 raste në Berat, 11 raste në Gjirokastër, 10 raste në Gramsh, 7 raste në Rrogozhinë, Himarë, 6 raste në Divjakë, Mallakastër, 5 raste në Has, Memaliaj, Devoll, Dimal, Peqin, Librazhd, 4 raste në Shijak, Vorë, Pogradec, Cërrik, 3 raste në Dibër, Këlcyrë, 2 raste në Tropojë, Mirditë, Delvinë, Kuçovë, Belsh, Përrenjas, 1 rast në Klos, Selenicë, Finiq. Aktualisht janë 11,288 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Advertisement
408