BE kundër Italisë, kritikon marrëveshjen për prodhimin e Sputnik V

Advertisement

Marrëveshja e njoftuar në fillim të kësaj jave, ka nxitur një shkëmbim deklaratash të zemëruara mes Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve rusë. Kryetarja e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) u kërkoi vendeve anëtare të mos japin autorizim për përdorimin në raste urgjente të Sputnik-ut, pasi kjo sipas saj do të ishte për shëndetin publik sikur të luaje me “ruletën ruse”.

Por Italia, së bashku me disa vende anëtare, përfshirë Hungarinë, ndihet e lodhur nga mungesa e vaksinave në të gjithë bllokun dhe po përpiqet me dëshpërim të përshpejtojë programin e saj të vaksinimit, megjithëse ministri italian i shëndetësisë ka thënë se do të presë miratimin e BE-së para se të nisë vaksinimi i italianëve me Sputnik V.

Zëdhënësi i presidentit, Vladimir Putin Dmitry Peskov, tha se marrëveshja e arritur mes Fondit shtetëror rus të Investimeve Direkte, i cili ka financuar zhvillimin e Sputnik-ut dhe firmës italo-zvicerane Adienne Pharma & Biotech, mund të ndihmojë Italinë që të kompensojë mungesën e vaksinave.

Advertisement

Kirill Dmitriev, kreu i fondit, tha se marrëveshja ka potencialin për të “shpëtuar shumë jetë në Itali”. Hungaria e ka nisur vaksinimin me sputnik V, Republika Çeke e Sllovakia kanë filluar të marrin doza. BE-ja ka mbetur shumë pas me programin e vaksinimit krahasuar me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara. Rreth gjashtë për qind e 450 milionë banorëve të bllokut kanë marrë të paktën një dozë vaksine, krahasuar me 18 për qind në SHBA dhe 30 për qind në Britani.

Në kontinentin Evropian, Serbia, shteti i dytë pas Britanisë ka vaksinuar një të katërtën e popullsisë së saj, kryesisht falë qasjes së shumëanëshme dhe gatishmërisë për të shfrytëzuar një larmi vaksinash, si ato të prodhuara në Perëndim ashtu edhe vaksinën Sputnik të Rusisë dhe Sinopharm të Kinës.

Advertisement
161