Bashkëshorti, nip tek Banda e Lushnjës, ajo vetë motra e ortakut të Riformatos. Gjyqtarja Arbena Ahmeti kërkon nga Vettingu konfirmimin në detyrë

Advertisement

Lidhjet me botën e krimit, veçanërisht ato familjare kanë qenë kriter përjashtues nga sistemi i drejtësisë për shumë prokurorë e gjykatës që janë përballur deri tani me Vettingun. Çifti prokuror-gjykatëse për të cilën po flasim është ekzemplar në këtë drejtim

Prokurori Arenc Çela dhe bashkëshortja e tij, gjyqtarja Arbena Ahmeti, vijnë në sektorin e drejtësisë nga bankat e fakultetit të Juridikut dhe kanë mes tyre një histori lidhjeje që në gjimnazin e qytetit të Lushnjës.

Lidhjet me botën e krimit, veçanërisht ato familjare kanë qenë kriter përjashtues nga sistemi i drejtësisë për shumë prokurorë e gjykatës që janë përballur deri tani me Vettingun. Madje kanë qenë të tilla edhe kur lidhjet nuk kanë qenë familjare.

Çifti prokuror-gjykatëse për të cilën po flasim është ekzemplar në këtë drejtim.

Prokurori Çela është nipi i Maksim Çelës, i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda si pjesëtar dhe anëtar i “bandës” së Lushnjës të drejtuar nga Aldo Bare (Alfred Shkurti).

Maksim Çela, xhaxhai i prokurorit, është akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Kledi Bano në Lushnjë dhe vendosjen e një sasie tritoli në shkallët e stadiumit “Roza Haxhiu”.

Riformato dhe avioni i tij i rrëzuar në Divjakë. Ngjarja bëri bujë në maj 2014

Kurse bashkëshortja e prokurorit Çela, gjyqtarja Arbena Ahmeti është motra e Dardan Ahmetit, i cili bashkë me shtetasin Sajmir Bajrami, janë dy personat që pritën dhe shoqëruan pilotin italian Giorgo Riformato nga Rinasi në Tiranë.

Riformato, është piloti që bëri uljen spektakolare pas një defekti të një aeroplani “Chesna” në plazhin e Parkut të Divjakës i mbushur me drogë. Ngjarja i përket majit të vitit 2014.

Advertisement

Megjithëse u përfshi fillimisht në hetime, Dardan Ahmeti u përjashtua habitshëm më pas nga përgjegjësia penale, duke u thirrur vetëm si dëshmitar, pavarësisht provave filmike në hotel dhe vende të tjerë me pilotin  dhe pavarësisht se është personi që ka shkuar me automjetin e tij, në Rinas së bashku me Sajmir Bajramin për ta pritur italianin.

Prokurori Çela është akuzuar se ndihmoi kunatin të zhdukte provat.

Tashmë pritet që të shihet se si do t’i konsiderojë Vettingu këto lidhje. Arenc Çela ende nuk e ka kaluar gjithë procesin, por nëse kemi parasysh se gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë janë shkarkuar për lidhje shumë herë më të dobëta me të inkriminuar, atëherë Çela rrezikon shkarkimin, edhe pse thotë se nuk ka përgjegjësi se çfarë bëjnë të afërmit e tij.

Çifti i magjistratëve nuk është çudi që të gjykohet nga ish-kolegë, ndaj çështja është një sfidë për drejtësinë e re. Mbetet për t’u parë nëse kjo e fundit do të kapet e do të përdorë standarde të dyfishta, apo lidhjet direkte me botën e krimit do të jenë prova të mjaftueshme për rastin.

Advertisement
597