“Aferë korruptive”/ Protestë me dhjetra banorë në Laknas kundër ndërtimit të thertores: Në shtëpitë tona nuk jetohet më

Advertisement

Banorët e Laknasit kanë nisur ditën e sotme protestën kundër ndërtimit të një thertoreje në zonën e njohur si “Plepat e Brukës”, e cila mund të konsiderohet si e vetmja hapësirë publike e gjelbër e fshatit. Banorët kërkojnë që projekti të mos nisë zbatimin, ndërsa kanë deklaruar se veprimet e autoriteteve janë korruptive dhe të paligjshme. Sipas tyre, prerja e pyllit për të ndërtuar një thertore e bën të papranueshëm projektin.

Ata janë mbledhur në vendin e parashikuar për ndërtimin e thertores duke kundërshtuar me forcë planin e kompanisë private. Ata theksojnë se kanë fituar gjyqin në Shkallën e Parë por ajo e Apelit i ka dhënë të drejtën kompanisë.

Banorët thonë më tej se e kanë kundërshtuar vendimin e Apelit dhe e kanë çuar në gjyq sërish çështjen. Sipas tyre, ndërtimi i thertores në një sipërfaqe prej rreth 12 hektarësh do ndosë edhe më shumë ujërat e ajrin e zonës, që edhe tani janë të ndotura.

“Ne kemi vendimin e Shkallës së Parë dhe jemi sërish në gjyq me kompaninë. Xhelal Mziu e Rakip Suli do shkojnë në SPAK për lejen e dhënë kompanisë. Thertorja duhet të jetë sipas ligjit 2 kilometra larg nga shtëpitë e banuara dhe kjo thertore nuk i potëson kriteret. Le të shkojnë ta bëjnë në Valias ku i plotëson kushtet. Kjo zonë është tejet e ndotur, nuk rrihet në shtëpi nga era e keqe. Ndërtimi i thertores do e bëjë përfundimisht të pajetueshme zonën. Ujin s’na e kanë sjellë akoma, dritat i kemi sjellë me lekët tona, koshat e mbeturinave po kështu. Gjithë fekalet e Tiranës derdhen këtu. Policia është në shërbim të hajdutëve, po ne nuk tërhiqemi nga e drejta jonë sipas ligjit.” – thanë banorët.

Advertisement
Advertisement
300