10 pika testimi në Tiranë, Manastirliu: Situata delikate

Advertisement

Ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik deklaruan se po punohet intensivisht për identifikimin e mutacioneve të COVID19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore Nr.8, ka bërë me dije se testimi i shpejtë ka nisur në 4 pika të reja në Qendra Shëndetësore në Tiranë, duke e çuar në 10 numrin e tyre dhe tashmë në këto pika do të kryhet edhe testimi me metodën klasike të PCR.
“Pasi vlerësuam ecurinë e gjashtë pikave të para të testimit në komunitet në Tiranë, përsa i përket kohës, por edhe situatës epidemiologjike mbi të gjitha, vendosëm që të shtojmë edhe katër pika të tjera. Në qendrën shëndetësore nr.8, në qendrën shëndetësore Kamëz, në qendrën shëndetësore nr.1 dhe në qendrën shëndetësore nr. 3. Pra janë hapur 10 pika testimi në komunitet në Tiranë, ndërkohë që në gjithë Shqipërinë janë 55 pika të testimit të shpejtë”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se është vendosur që në këto pika testimi të përfshihen gjithashtu dhe testimin nëpërmjet PCR. Ky një element i shtuar përsa i përket punës dhe identifikimit të rasteve të dyshuara.
“Ne jemi në një moment delikat. Pavarësisht se situata deri më tani është e kontrolluar, kjo nuk do të thotë që të ulim vigjilencën dhe të mos kemi atë kujdesin që kemi pasur deri tani. Kjo është një luftë që fitohet nga të gjithë së bashku dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Nëse duam që virusi të mos përhapet me shpejtësi, duhet që të mbajmë maskën, duhet që të ruajmë distancën dhe të kemi higjienë maksimale. Të kombinuara këto me planin kombëtar të vaksinimit që po vazhdon me mjekët dhe infermierët në vijën e parë, do të mund të kemi në kontroll epideminë, por gjithmonë duhet bashkëpunimi i qytetarëve”, apeloi Manastirliu.
Dhjetë pika testimi janë hapur në Tiranë, ndërsa në të gjithë vendin janë 55 pika të testimit të shpejtë. Deri më tani janë kryer mbi 75,000 teste të shpejta në komunitet.

Advertisement

 

Advertisement
163